Picture

Shteti i Kosovës mund të përfaqësohet në Lojërat Olimpike që vitin tjetër do të mbahen në Londër, por ka ca kushte për këtë. I pari, sportistët kosovarë duhet ta plotësojnë normën olimpike, dhe së dyti, nëse kjo normë arrihet, atëherë ata mund të garojnë vetëm me flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (ICO). Kështu ka bërë të ditur të hënën në një intervistë për “Kohën Ditore” Lisa Allan, zyrtare e Komitetit Organizativ të lojërave olimpike dhe paraolimpike të “Londra 2012”, njëkohësisht edhe menaxhere e Departamentit të xhudos pranë këtij komiteti.Në të vërtetë, i gjithë ky muhabet vlen për xhudisten kosovare Majlinda Kelmendi, pasi ajo është e vetmja që po lufton për normë olimpike. Aktualisht, ajo është në zonën që siguron kualifikimin në Londër vitin tjetër.

Lisa Allan thotë se çështja e Kelmendit është biseduar edhe me zyrtarët e Bordit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe se të fundit kanë garantuar se nuk do të diskriminojnë sportistët kosovarë, po qe se arrijnë normën olimpike.

Konfirmimi nga organizatorët e Olimpiadës

“Në të kaluarën ka pasur raste të tilla kur shteti nuk ishte pjesë e KON-it, por garuesit e atij shteti kanë marrë pjesë në Lojëra Olimpike me flamur të KON-it. KON-i na ka siguruar se nuk do të diskriminojë sportistët që plotësojnë normën olimpike, kështu që nëse sportistët kosovarë e arrijnë këtë, atëherë do të jenë pjesëmarrës në LO Londra 2012”, ka thënë Lisa Allan përmes telefonit për gazetën. “Kam dëgjuar për Majlinda Kelmendin dhe rezultatet e saj madhështore, e di që është sportistja më e famshme në Kosovë, dhe aktualisht është në rrugë të mbarë për të arritur normën”.

Në të vërtetë, ky është sinjali i dytë i mirë për sportin e Kosovës në ditët e fundit. Para pak ditësh xhudistët kosovarë janë ftuar po nga organizatorët e Lojërave Olimpike në “Event Test” që mbahet në dhjetor të këtij viti. Ky turne është zyrtar dhe shërben për testimin e objekteve sportive, pajisjeve të numërimit dhe konfirmimin e formës së sportistëve para ngjarjes kryesore, që është Olimpiada.

Drejtori sportiv i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo dhe trajner i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, vlerëson se ky është sinjali më i mirë deri më tash për sportin e Kosovës.

“Definitivisht, sinjal shumë i mirë dhe motiv shtesë për mua dhe për nxënësen time, pasi mundi dhe puna e bërë deri më tash mund të shpaguhen me pjesëmarrje në Olimpiadë”, ka thënë Kuka.


Fati i sportit të Kosovës është në duart e Majlindës

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) nuk është pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe gjasat për të qenë deri para fillimit të Olimpiadës janë tepër të vogla. Kështu të paktën kanë vlerësuar vetë zyrtarë të KOK-ut kohë më parë. KOK-u tash për tash nuk e plotëson as kushtin teknik për të konkurruar për pranim në KON, e që është ndërkombëtarizimi i pesë federatave të sporteve olimpike.

Për shkak të sukseseve të mëdha si juniore, Majlinda Kelmendit i është mundësuar të marrë pjesë në turne të mëdhenj botërorë ku luftohet për normë olimpike. Vitin e parë kualifikues ajo e ka mbyllur në pozitën e gjashtë, ndërkohë që tani është e 11-ta. Trajneri Kuka vlerëson se nuk ka hapësirë për panik. Vetëm 14 të parat kualifikohen direkt në Olimpiadë nga secila kategori.

“Nuk ka vend për panik për këtë rënie, pasi deri në fund të vitit të dytë olimpik (31 prill 2012 v.j.) ka shumë gara ku mund të fitohen pikët olimpike. Pjesën më të madhe të pikëve në vitin e parë olimpik i kemi fituar për një muaj e gjysmë, kështu që duke u bazuar në këtë dhe në kualitetin e Majlindës, unë besoj fuqishëm se ajo do ta plotësojë normën olimpike, madje shpresoj shumë që ajo të jetë në mesin e tetë më të mirave, që do ta bënin bartëse të grupit dhe do t’i lehtësohej puna drejt medaljes”, ka nënvizuar Kuka.


Leave a Comment