Në parkum e qytetit të Pejës u mbajt ceremonia e inaugurimit të shtatores së Majlinda Kelmendit.

Në këtë ceremoni morën pjesë shumë emra të shquar të institucioneve shtetërore dhe të sportit vendor e ndërkombëtar, Presidenti i federatës ndërkombëtare të xhudos (IJF) z.Marius Vizer, Ministrja për Kulturë, Rini e Sport znj. Vlora Dumoshi, Presidenti i Komitetit Olimpik z.Besim Hasani, Kryetarja e kuvendit të Kosovës znj.Vjosa Osmani, Presidenti i Federatës së xhudos z.Agron Kuka, ish Kryeministri i Kosovës z.Ramush Haradinaj, Kryetari i Komunës së Pejës z.Gazmend Muhaxheri, zyrtarja e lartë e federatës ndërkombëtare të xhudos (IJF) znj.Lisa Allan.

“Sot është një ditë historike jo vetëm për ju. Besomëni se si jeni duke e përjetuar ju, unë jam duke e përjetuar dy herë më shumë. Kam shumë emocione. Faleminderit shumë që keni ardhur. Shumë njerëz më kanë pyetur se a do të ishte më mirë që statuja të vendoset në Prishtinë, por unë mendoj që e ka vendin këtu ku jam rritur dhe ku e kam filluar karrierën”, tha kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi.

Presidenti i Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer u shpreh se Majlinda është një ndër sportistet më madhështore në botë, derisa shtoi se Kosova duhet të mburret me Majlindën.

“Është nder dhe kënaqësi për sportin tonë që të kemi një përfaqësuese të tillë.
Unë dua të ju uroj të gjithëve juve si komb i Kosovës për këtë arritje, para së gjithash faleminderit Majlinda, Driton Kuka, Agron Kuka dhe gjithë familjes së xhudos, të mbështetur nga Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës dhe nga shpirti i tyre, i cili është edhe shpirti i kombit të Kosovës”, deklaroi Vizer.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, vlerësoi lartë kontributin e Marius Vizerit.

“Kemi shkuar aq lartë sa që mbështetja e pa rezervë e presidentit Vizer po kulmon sot këtu me zbulimin e shtatorës së heroinës sonë të gjallë, kampiones Olimpike, Botëtore e Evropiane, Majlinda Kelmendi. Para së gjithash, qëndron skalitësi i sportistëve kulminant, trajneri i përmasave globale, Driton Kuka”, tha Kuka.

Kryetarja e Parlamentit, Vjosa Osmani, deklaroi se Majlinda Kelmendi është inspirim për të rinjtë tanë, derisa shtoi se sporti është fusha e cila ka bërë hapa të mëdhenj duke e prezantuar vendin tonë në shtetet në të cilat nuk mund të depërtojnë politikanët.

Ministrja Dumoshi shtoi se Majlinda është krenaria jonë, derisa uroi që xhudistët tanë të kthehen me medalje edhe nga Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Shtatorja e Majlinda Kelmendit ishte dhuratë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) për Kosovën.